Investimet në efiçiencë të energjisë në Viti, për shkolla më të ngrohta dhe banesa më dinjitoze

Pas Gjilanit, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe përfaqësues nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), vizitoi komunën e Vitisë, ku pa nga afër investimet që po realizohen në objekte arsimore dhe banesa sociale, që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve. 

Përmes një investimi prej rreth 600 mijë euro, janë duke u rinovuar katër shkolla të cilat janë “28 Nëntori”, “Njazi Rexhepi”, “Mirali Sejdiu”, “Dëshmorët e Lubishtës” e gjithashtu edhe Qendra për Punë. 

Sot u vizituan dy nga këto objekte: Shkolla “28 Nëntori”, e ndërtuar në vitin 2005, dhe Shkolla “Njazi Rexhepi”, e ndërtuar në vitin 2010. 

Përveç këtyre projekteve në proces, në Komunën e Vitisë janë përfunduar me sukses edhe renovimet në tri shkolla tjera: “Bafti Haxhiu” në Viti; “Ndre Mjeda” në Kabash dhe “Hysen Tërpeza” në Tërpezë me një investim shtesë prej 312 mijë euro. 

Këto projekte janë pjesë e një programi gjithëpërfshirës të Qeverisë për rritjen e efiçiencës në nivel vendi dhe po implementohen nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, me mbështetje 90% nga Qeveria e Republikës së Kosovë përmes Bashkimit Evropian, dhe pjesëmarrje komunale prej 10%. /Kosova.info/


Go to TOP