Gjinovci: Ftesa për LDK-në ishte presion ndaj Limajt, jo ofertë reale bashkëpunimi
Aktivisti Rron Gjinovci ka komentuar zhvillimet e fundit politike duke hedhur dyshime mbi sinqeritetin e ftesës së Albin Kurtit drejtuar LDK-së për bashkëqeverisje. Sipas tij, kjo ftesë nuk ishte një ofertë e mirëfilltë, por një mjet presioni ndaj Fatmir Limajt, i cili sipas Gjinovcit, po synon pozitën e Kryetarit të Kuvendit.
“Menoj që prej mënyrës si u shkru, nëntoni i saj ishte fyes. Me nji tekst e argumente të nji tinejxheri, autori ka dashtë me i thanë atij që i është drejtu letra, që ti je fëmijë i papjekun dhe me ty flas qishtu si tinejxher,” ka shkruar Gjinovci. Ai shton se Limaj ka kërkuar pozitën e Kryeparlamentarit duke qenë se një post ministror do të rrezikonte koalicionin për shkak të mungesës së votave.
Me refuzimin përfundimtar të LDK-së për të hyrë në qeveri, sipas Gjinovcit, i hapet rruga Kurtit për kompromise me Limajn dhe përfaqësuesit e minoriteteve. Ai thekson se Kurti ka humbur mundësinë për të “nxjerrë opozitën të dobët” duke mos e emëruar Fatmir Limajn kryetar Kuvendi para propozimit të Lumir Abdixhikut për një qeveri të përkohshme.
“Nëse kjo nuk ndodh, përhajr zgjedhjet e reja,” përfundon Gjinovci duke lënë të kuptohet se skenarët për Qeverinë Kurti 3 mund të jenë duke u mbyllur. /Kosova.info/
