Studentët në Serbi kërkojnë zgjedhjet e jashtëzakonshme

Studentët që kanë bllokuar fakultetet në mbarë Serbinë kanë kërkuar shpërndarjen urgjente të Kuvendit të Serbisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Në iniciativën studentore sonte ka ndodhur një kthesë. Në të njëjtën kohë, në rrjetet sociale, studentët që ndodhen në bllokadë në fakultetet e universiteteve në Serbi kanë publikuar kërkesën për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

“Jemi dëshmitarë të një prej momenteve vendimtare në historinë moderne të vendit tonë. Si një grup shoqëror që gëzon besimin më të madh të qytetarëve, ndërmarrim një hap të vendosur: kërkojmë shpërndarjen e menjëhershme të parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme,” thuhet në deklaratën e përbashkët.

Studentët theksojnë se demokracia është mënyra e vetme e drejtë për zgjidhjen e krizës politike “të këtyre përmasave” dhe u bëjnë thirrje qytetarëve që të mbështesin listën së cilës studentët në bllokadë do t’ia japin besimin e tyre “në mënyrë që e vërteta të peshojë më shumë në peshoren e drejtësisë”.

Studentët në bllokadë gjithashtu kanë njoftuar se është formuar një iniciativë e gjerë qytetare, një platformë e përbashkët e grupeve shoqërore që prej muajsh mbështesin lëvizjen studentore dhe atë qytetare. Qëllimi i iniciativës është dalja nga, siç theksohet, “kriza e thellë shoqërore dhe institucionale”.

Studentët veçojnë rrënjosjen e thellë të korrupsionit në institucionet shtetërore, duke vlerësuar se për shkak të kësaj është pamundësuar funksionimi i tyre i pavarur. Platforma qytetare, siç thuhet, është e hapur për të gjithë ata që ndajnë të njëjtat vlera dhe synime, përmbushjen e kërkesave studentore dhe rikthimin e institucioneve në duart e qytetarëve.

“Shprehim një qëllim të qartë dhe të vendosur që kjo betejë për një shoqëri të shëndoshë dhe institucione funksionale të kulmojë me një zgjidhje pas së cilës mund të qëndrojnë të gjithë qytetarët dhe studentët, dhe e cila do të na nxjerrë nga kriza,” thuhet në mesazhin e lëvizjes studentore. /RTK/


Go to TOP