Behrami: Votimi i fshehtë, një fore e lodhtë e VV-së – do ta pranoja vetëm nëse Lista Serbe largohet nga salla
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka reaguar ashpër ndaj propozimit për votim të fshehtë në Kuvend duke e cilësuar atë si një “fore të lodhtë” nga Lëvizja Vetëvendosje (VV) për të fituar kohë dhe për të siguruar vota për zgjedhjen e Albulena Haxhiut në një pozitë kyçe institucionale.
Në një postim në rrjetet sociale, Behrami tha se do ta pranonte votimin e fshehtë vetëm me një kusht të qartë dhe të prerë: që përfaqësuesit e Listës Serbe, të cilët ai i quan “partnerë formalë të koalicionit të VV-së”, të largoheshin nga salla e Kuvendit në momentin e votimit.
“Personalisht, vetëm me një kusht e kisha pranuar votimin e fshehtë në Kuvend, edhe pse kjo është veç një fore e lodhtë e VV-së me ble kohë dhe vota. Kushti: Këta të VV-së të kërkojnë nga Lista Serbe, partnerët formalë të koalicionit, të lëshojnë sallën në momentin e votimit!”, deklaroi Behrami.
Ai shtoi se nëse ky kusht do të realizohej, zgjedhja e Albulena Haxhiut do të dështonte sërish duke sinjalizuar mungesën e përkrahjes së gjerë për kandidaturën e saj brenda Kuvendit të Kosovës. /Kosova.info/
