MKRS denoncon dezinformatat e Komunës së Prishtinës: Po vetëinkriminohen për shkelje të Ligjit për Trashëgimi Kulturore
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka reaguar ashpër ndaj, siç i quan, dezinformatave të radhës nga Komuna e Prishtinës dhe zyrtarë të saj politikë, në përpjekje për të justifikuar ndërhyrjet e paligjshme në zonat e mbrojtura me Ligjin për Trashëgimi Kulturore.
Sipas MKRS-së, fillimisht zyrtarët komunalë pretenduan se po mbështeten në një draft dokument – Planin e Menaxhimit të Qendrës Historike të Prishtinës – për të justifikuar veprimet në zonën e mbrojtur. Megjithatë, MKRS publikoi vendimet zyrtare që dëshmojnë miratimin e listës së përkohshme të trashëgimisë kulturore që nga viti 2020, të nënshkruara nga ish-ministrja Dumoshi duke dëshmuar se nuk bëhet fjalë për draft, por për dokumente me fuqi të plotë juridike.
Argumenti tjetër, se lista e trashëgimisë ka vlefshmëri vetëm një vit, u përgënjeshtrua po ashtu. MKRS sqaroi se Ligji Nr. 02/L-088 lejon vazhdimin e vlefshmërisë përmes vendimeve të ministrit, proces që ka ndodhur në mënyrë të pandërprerë që nga viti 2008.
Në një deklaratë të re, ish-ministra nga i njëjti subjekt politik që udhëheq Komunën e Prishtinës, pranuan se Qendra Historike e Prishtinës ka marrë status ligjor përmes listës së 13-të të trashëgimisë, por mohuan vlefshmërinë e saj me arsyetimin se nuk është regjistruar në kadastër. MKRS thekson se edhe pse regjistrimi në kadastër është i paraparë me ligj, ai nuk e kushtëzon vlefshmërinë e statusit mbrojtës duke e quajtur këtë pretendim një “bllof” tjetër për të justifikuar shkeljet ligjore.
“Nëse ky interpretim do të merrej si i saktë, atëherë çdo investim dhe vendim që MKRS ka marrë që nga viti 2007 do të rezultonte i paligjshëm duke përfshirë mbi 50 milionë euro investime në asete kulturore. Një logjikë e tillë do të nënkuptonte ndjekje penale për ish-ministra, sekretarë të përgjithshëm e zyrtarë të tjerë”, thuhet në reagim.
MKRS bën thirrje për ndaljen e përdorimit të institucioneve dhe procedurave ligjore si instrument për debat politik dhe mbrojtje të dështimeve të projekteve të kryeqytetit duke theksuar se precedentë të tillë janë të rrezikshëm për sistemin e ruajtjes së trashëgimisë kulturore në Kosovë.
Ministria kërkon respektimin e ligjit, parimeve të konservimit dhe pajisjen me lejet përkatëse nga institucionet kompetente duke apeluar që të mos kërkohet fajtor aty ku nuk ka – aq më tepër kur vetë deklaratat e tyre rezultojnë vetëinkriminuese. /Kosova.info/
