Murati: Kushtetuta njeh edhe mundësinë e votimit të fshehtë
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, pas dështimit për herë të nëntë të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, si dhe zgjedhjes së kryeparlamentares, ka reaguar duke thënë, që ndër mënyrat e pranueshme për votim, janë vota e hapur, vota e fshehtë, apo ndonjë mënyre tjetër.
“Në Aktgjykimin e vitit 2014 për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, vetë Gjykata Kushtetuese në paragrafin 124. ka sqaruar që ndër mënyrat e pranueshme për votim, janë vota e hapur, vota e fshehtë, apo çfarëdo mënyre tjetër. Por ç’e do Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, kur disa organizata të “shoqërisë civile”, në sinkron me partitë që po bllokojnë konstituivin e Kuvendit, sot e shpallën si anti-kushtetuese këtë formë të votimit”, shkruan Murati.
Ai, në një postim në Facebook, thotë se edhe më interesant është paragrafi 125. ku thuhet:
“Gjykata konsideron se mënyrat e ndryshme të votimit (hapur, fshehtë, etj) kanë për qëllim të sigurojnë SHPREHJEN DEMOKRATIKE DHE TË PAVARUR TË VULLNETIT TË DEPUTETËVE dhe të sigurojnë të drejtat e deputetëve në mënyrë që ata t’u përmbahen obligimeve të tyre.”
Sipas Muratiti, Kushtetuta njeh mundësi të ndryshme të votimit dhe u takon deputetëve që të zgjedhin mënyrën më të mirë për të zhbllokuar procesin.
“Por edhe kësaj radhe, u pa përfundimisht se kush po e bllokon konstituivin e Kuvendit. U pa edhe që partitë opozitare nuk u besojnë deputetëve të tyre, meqë shfaqën hezitim të merrnin pjesë në një proces ku vullneti i lirë i deputetëve do të mund të ushtrohej pa presion”, shkruan Murati në Facebook. /Kosova.info/
