Murati akuzon Përparim Ramën për shkelje ligjore: Keni nënshkruar kontratë pa pasur fondet në buxhet
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka akuzuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, për shkelje të ligjit lidhur me menaxhimin e buxhetit dhe nënshkrimin e kontratave të mëdha financiare pa mbështetje të plotë buxhetore.
Sipas Muratit, Rama ka deklaruar disponueshmëri të fondeve prej 18.4 milionë euro, ndërkohë që në buxhet kanë qenë të parashikuara vetëm 10% e kësaj shume. “Me nënshkrimin e deklaratës së disponueshmërisë së fondeve duke deklaruar se i keni të buxhetuara 18.4 milionë euro, kur në fakt keni pasur vetëm 10% të asaj vlere në buxhet, ju keni shkelur ligjin,” shkruan Murati.
Ai theksoi gjithashtu se shpallja e tenderit dhe nënshkrimi i kontratës pa pasur fondet e nevojshme në buxhet përbëjnë një shkelje tjetër të qartë ligjore.
Murati ka komentuar edhe përpjekjet e Ramës për të arsyetuar veprimet e tij me shkresa drejtuar MFPT-së duke shtuar se këto janë të pavlefshme për shkak se buxheti komunal nuk mund të përfshihet në Ligjin për Ndarje Buxhetore të vitit 2025 pa miratimin e Kuvendit. Ai theksoi se kjo vonesë ka ardhur si pasojë e mosrespektimit të afateve ligjore nga vetë Komuna e Prishtinës.
“Injoranca ndaj ligjit nuk amniston shkeljen e ligjit,” përfundon Murati. /Kosova.info/
