Havolli inspekton projektet kryesore infrastrukturore në Prishtinë: Nuk po ndalemi
Drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Sokol Havolli, ka vizituar sot punimet në disa prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore që po realizohen në Kryeqytet.
Një nga ndalesat kryesore ishte te projekti i “Ishullit Urban”, i cili pritet t’i japë një pamje të re estetikës urbane duke ofruar një hapësirë funksionale për qytetarët dhe duke lehtësuar ndjeshëm qasjen e banorëve të lagjes Arbëria në qendër të qytetit. Havolli theksoi se ky projekt ndihmon edhe në eliminimin e rrezikut të kalimit të binarëve të trenit në këmbë, një problem i kahershëm për qytetarët.
Gjatë vizitës, ai inspektoi gjithashtu edhe punishtet e urës së unazës së brendshme dhe segmenteve të tjera të kësaj rruge, që përbëjnë pjesë kyçe të infrastrukturës së re urbane të Prishtinës.
“Nuk po ndalemi,” deklaroi Havolli duke nënvizuar përkushtimin e institucionit që drejton për të përmbyllur me sukses të gjitha projektet kapitale në shërbim të qytetarëve. /Kosova.info/
