Murtezaj i bën thirrje LDK-së t’i përgjigjet ftesës për takim: Pjesëmarrja në tryezë është vlerë demokratike

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Valon Murtezaj, ka bërë thirrje publike ndaj udhëheqjes së partisë që t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për takim që pritet të mbahet nesër, në funksion të dialogut dhe stabilitetit politik në vend.

Murtezaj theksoi se në një moment krize të thellë politike, kur Republika e Kosovës gjendet pa Kuvend aktiv dhe pa Qeveri funksionale, është jetike që partitë politike të tregojnë përgjegjësi dhe gatishmëri për dialog.

“Pjesëmarrja në tryezë diskutimi, pa hyrë në asnjë lloj paragjykimi, është vlerë demokratike dhe shprehje e lidershipit të vërtetë,” deklaroi ai.

Ai nënvizoi rëndësinë që dialogu mes forcave politike të mos mungojë në një shtet të ri si Kosova, në mënyrë që të shmangen përshkallëzimet e krizës dhe të ndërtohet një konsensus për çështje me interes të përbashkët.

“Pjesëmarrja në tavolina diskutimi nuk është dobësi, përkundrazi, promovon vlerat demokratike dhe ndihmon në ndërtimin e një konsensusi për çështje komplekse dhe të rëndësishme për Kosovën dhe qytetarët e saj,” shtoi Murtezaj.

Thirrja e tij vjen në një kohë vendimtare për skenën politike në Kosovë, ku nevoja për bashkëpunim dhe komunikim është më e madhe se kurrë. /Kosova.info/


Go to TOP