Abdixhiku: Kroacia, zë i fuqishëm për Kosovën në skenën evropiane

Në ditën e dytë të Kongresit të Partive Popullore Evropiane (EPP) në Valencia, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, zhvilloi një takim bilateral me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković, i cili ishte i shoqëruar nga Ministri i Punëve të Jashtme, Gordan Grlić Radman.

Abdixhiku shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës duke veçuar gatishmërinë dhe kontributin kroat në marrëveshjen trepalëshe në fushën e mbrojtjes mes Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë. Ai theksoi se rrugëtimi euroatlantik i Kroacisë përbën një model të shkëlqyer për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që synojnë integrimin evropian dhe euroatlantik.

“Kryeministri Plenković ka qenë një zë i dytë për Kosovën në çdo paraqitje e fjalim në forume ndërkombëtare, veçanërisht brenda EPP-së. Ne mbështetemi dhe llogarisim në përkrahjen e tyre të vazhdueshme,” u shpreh Abdixhiku.

Gjatë ditës, Abdixhiku zhvilloi edhe takime të tjera bilaterale, përfshirë Ministren Federale të Austrisë për Evropë, znj. Claudia Plakolm, dhe Ministren për Evropë të Suedisë, znj. Jessica Rosencrantz, ku u diskutua për proceset integruese të Kosovës dhe mbështetjen e partnerëve evropianë në këtë drejtim. /Kosova.info/


Go to TOP