Bejta: Nuk kam munguar në seancë, mbështes fuqishëm transparencën për PZHK-në
Asamblistja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Prishtinë, Fiknete Bejta, ka reaguar pas interpretimeve në një nga mediat se ajo ka munguar në seancën e Kuvendit Komunal ku është diskutuar Plani Zhvillimor Komunal (PZHK).
“Nuk kam munguar në seancë, siç po interpretohet gabimisht. Kam pasur vetëm një vonesë teknike prej 10 minutash, e cila nuk ka qenë e qëllimshme dhe nuk përbën asnjë formë mosangazhimi apo pengimi të procesit,” ka deklaruar Bejta.
Ajo thekson se është udhëtuar posaçërisht nga Zvicra për të qenë pjesë e kësaj seance dhe për të dhënë përkrahjen e saj për votimin që lejon shqyrtimin publik të PZHK-së.
“Jam fuqimisht për TRANSPARENCË TË PLOTË. Ky dokument ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e qytetit dhe në të ardhmen urbane të Prishtinës,” tha ajo.
Bejta rikujtoi se e ka mbështetur vazhdimisht këtë proces – në seancën e dhjetorit 2024, javën e kaluar, si dhe në seancën e fundit – duke votuar që dokumenti të bëhet publik.
“S’bëhet fjalë vetëm për një dokument, por për një parim thelbësor: transparencën dhe përfshirjen e qytetarëve. Për mua, këto nuk janë vetëm parime, por një detyrim moral dhe politik ndaj qytetarëve të kryeqytetit,” përfundoi ajo. /Kosova.info/
