Kanadaja në zgjedhje të parakohshme, gara mes liberalëve dhe konservatorëve
Kanadezët po votojnë sot në zgjedhje të parakohshme, vetëm gjashtë javë pas betimit të kryeministrit të ri Mark Carney, i cili zëvendësoi Justin Trudeau-n pas dorëheqjes.
Këto zgjedhje vijnë në një moment të ndjeshëm për Kanadën mes krizave të brendshme dhe presionit të jashtëm nga Shtetet e Bashkuara. Gara kryesore është mes dy partive të mëdha: Liberalëve të udhëhequr nga Carney, të cilët kanë një dekadë në pushtet, dhe Konservatorëve të udhëhequr nga Pierre Poilievre.
Zgjedhjet, që fillimisht ishin parë si një referendum për qeverisjen dhjetëvjeçare të Liberalëve, janë kthyer në një betejë për të treguar kush mund të përballet më mirë me Donald Trump.
Presidenti amerikan ka përdorur rrjetet sociale për të përsëritur thirrjet që Kanadaja të bëhet shteti i 51-të iShBA-së, duke ndezur tensione politike në vend.
Pierre Poilievre reagoi ashpër, duke i kërkuar Trump-it të “qëndrojë larg zgjedhjeve tona”, ndërsa Mark Carney bëri thirrje për unitet dhe qëndresë përballë “krizës që vjen nga Shtetet e Bashkuara”.
Mark Carney dhe Pierre Poilievre kanë votuar të dy më herët në kryeqytet. Carney u shfaq i buzëqeshur, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Diana.
Një ndër temat kryesore të kësaj fushate ka qenë si do të përballet Kanadaja me një luftë tregtare mme ShBA. Trump ka vendosur tarifa të rënda ndaj produkteve kanadeze dhe ka kërcënuar me masa të tjera ekonomike. Në këtë atmosferë të nxehtë, zgjedhjet janë bërë të paparashikueshme.
Fillimisht, Konservatorët ishin favoritë për të fituar, por ndërhyrja e Trump e ka kthyer garën në një përplasje shumë të ngushtë.
