Demi kritikon bllokimin e investimeve në Prishtinë: Pse kemi komuna nëse nuk lejohen të qeverisin?
Agron Demi nga Instituti GAP ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore për të ndalur punimet në qendër të Prishtinës duke ngritur një pyetje thelbësore: Pse kemi komuna nëse ato nuk lejohen të qeverisin?
Në një reagim publik, Demi theksoi:
Nëse kryetari i Prishtinës nuk mund të punojë në zemër të qytetit që e udhëheq, sepse një inspektorat ia ndalon punimet;
Nëse kryetari i Kamenicës nuk mund të organizojë rrjetin e shkollave sipas nevojave të komunës së tij, sepse një ministrie nuk i përshtatet politikisht;
Nëse kryetari i Ferizajt nuk mund të vendosë për parkun e qytetit të tij, sepse një agjenci e pyjeve ia jep hapësirën një biznesi për shfrytëzim privat;
atëherë, sipas Demit, duhet të pyetemi seriozisht për rolin dhe funksionin real të komunave.
Ai e quajti shantazh të pastër ndërhyrjen e Inspektoratit të Trashëgimisë në projektin e investimeve në Sheshin e Prishtinës.
“Ku ishte ky inspektorat kur ndërtesa ‘Rilindja’ u mbulua me një fasadë ‘kazakh style’, kur Hoteli ‘Grand’ u degradua, kur u rrënua qendra zejtarë e Prishtinës, ose kur u ndërtua Katedralja dhe xhamia me stil osman në qendër të qytetit?”, pyeti Demi.
Ai theksoi se për më shumë se dy dekada këto ndërtesa janë lënë pa mirëmbajtje dhe tash, përmes pretekstit të “mbrojtjes”, po bllokohet e gjithë jeta qytetare.
“Mes rehatisë së qytetarëve dhe objekteve të gërditshme, unë zgjedh rehatinë e qytetarëve,” theksoi Agron Demi duke shtuar se problemi i vetëm i projektit në shesh është mungesa e hapësirave më të mëdha të gjelbëruara, jo investimi në vetvete. /Kosova.info/
