Regjistrim falas për nxënës dhe studentë në Ditën Botërore të Librit
Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtave të Autorit po shënohet sot në Prishtinë me një sërë aktivitetesh kulturore dhe edukative. Qëllimi i këtyre ngjarjeve është promovimi i leximit, nxitja e dashurisë për librin dhe vetëdijësimi për rëndësinë e të drejtave të autorit.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), të ftuara për të diskutuar rreth kësaj dite ishin Fikrije Bejta Halili, zyrtare për aktivitete kulturore në bibliotekën ‘Hivzi Sylejmani’ dhe Arbnora Mjekiqi Rrahmani, zyrtare për bibliotekë.
“Ne, në vazhdën e aktiviteteve të muajit prill, i kemi paraprirë kësaj dite me ngjarje që kanë nisur që nga data 2 prill, në kuadër të Ditës Botërore të Librit për Fëmijë. Gjatë kësaj periudhe kemi trefishuar numrin e anëtarësimeve të nxënësve të shkollave të kryeqytetit,” deklaroi Fikrije Bejta Halili.
Ndërkohë, Arbnora Mjekiqi Rrahmani bëri të ditur se regjistrimet falas për të rinjtë do të vazhdojnë më 23 dhe 24 prill: “Këtë vit kemi punuar intensivisht dhe kemi realizuar një kampanjë të suksesshme. Nuk e kemi kufizuar regjistrimin vetëm në datën 2 prill, por ai ka vazhduar për 14 ditë rresht. Nga sot dhe nesër, do të realizohet regjistrimi falas i studentëve dhe nxënësve të shkollave të mesme. Kemi interesim të madh, jo vetëm nga kryeqyteti, por edhe nga qytete të tjera.”
Regjistrimet po bëhet nga ora 08:00 deri në 18:30 në hapësirat e përcaktuara, duke synuar përfshirjen sa më të gjerë të të rinjve në rrjetin e lexuesve dhe adhuruesve të librit.
