Sektori minerar afër falimentit, ligji për pronën publike një nga shkaqet

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka deklaruar se sektori minerar është afër falimentimit. Kjo sidomos pas votimit të ligjit për prona publike, ka deklaruar Kushtrim Ahmeti, drejtor i këtij institucioni.

“Ky ligj është bërë në një periudhë jo fortë adekuade, dhe ne jemi çuditur se si nuk ka pasur reagime as nga vet opozita e kaluar. Ky ligj ka paraparë të formojë një njësi ose zyre që do të funksionojë në kuadër të zyrës së kryeministrit ku do të jetë për menaxhimin e pronave publike, por në njërën anë e ka bërë këtë zyre, e në anën tjetër kompetencat për dhënien e lejeve dhe licensave ua ka lënë dy institucioneve tjera”, ka thënë ai në “Info Plus” të RTK-së.

Ai ka thënë se nga dhjetori i 2023-ës kur ka hyrë në fuqi ky ligj, Ministria e Bujqësisë nuk është marrë me rastin.

“Janë mbi 3600 kërkesa të ndryshme në Agjencinë e Pyjeve. Nuk është vetëm sektori minerar, janë shumë të tjera që shfrytëzojnë pronën publike, që kanë mbetur qoftë për vazhdim të licensave apo për dhënie të marrëveshjeve të reja. Kjo ka shkaktuar telashe të mëdha”, ka thënë Ahmeti.

Go to TOP