Vrasja e policit në Kaçanik, Canolli: Një tmerr i paprecedentë, radikalizmi po sfidon identitetin plural të shqiptarëve

Profesori universitar Arsim Canolli ka reaguar pas vrasjes së rëndë të policit Afrim Lika në Kaçanik, të cilën e ka cilësuar si “një tmerr i paprecedentë që i ka ndodhur Kosovës”. Në një deklaratë publike, Canolli shpreh tronditjen e tij të thellë, veçanërisht nëse vërtetohet se polici është vrarë për shkak të angazhimit të tij në hetimin e nxitjes së urrejtjes fetare.

“Sikur të mos mjaftonte fakti që është vrarë, të vritet për një arsye të tillë është turp i madh për shoqërinë tonë,” shkruan Canolli. Ai thekson se shqiptarët kanë një trashëgimi të pasur fetare dhe kulturore, të ndërtuar mbi një pluralizëm të thellë teologjik që duhet të ruhet dhe respektohet.

Sipas tij, feja ndër shqiptarë është pjesë e kulturës individuale dhe familjare, një formë ngushëllimi shpirtëror, dhe nuk duhet kurrë të përdoret si ideologji për dominim apo përçarje.

Canolli apelon që shteti, sistemi arsimor, mediat dhe të gjithë aktorët shoqërorë të angazhohen seriozisht në shuarjen e radikalizmit dhe promovimin e tolerancës. “Radikalët nuk e duan Zotin më shumë, ata urrejnë tjetrin që nuk është si ata,” thotë ai.

Profesori thekson rëndësinë e njohjes së pluralizmit religjioz dhe të trashëgimisë kulturore shqiptare që përfshin elementë pagane, të krishtera dhe myslimane. “Shqiptari i kulturuar respekton lirinë për të besuar apo për të mos besuar, njeh veçantinë e vet dhe e mbron atë.”

Në fund, Canolli bën thirrje për hetim dhe ndëshkim të plotë të këtij rasti tronditës, por edhe për reflektim të thellë shoqëror. “Vetëm duke njohur kush kemi qenë, çfarë jemi dhe çfarë mund të bëhemi, mund të mbrojmë vlerat e një shteti demokratik e sekular,” përfundon ai. /Kosova.info/


Go to TOP