Gërvalla kundër bllokadës së Kuvendit: Opozita po injoron vullnetin e qytetarëve të 9 shkurtit

Ministrja në detyrë dhe përfaqësuese e koalicionit fitues, Donika Gërvalla, ka reaguar ashpër ndaj vazhdimit të bllokimit të konstituivit të Kuvendit të Kosovës nga ana e opozitës duke theksuar se qytetarët kanë folur qartë në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Sipas saj, është përgjegjësi institucionale që të respektohet vullneti i popullit dhe që Kuvendi të konstituohet pa vonesa të mëtejshme. “Kryetarin e Kuvendit e propozon koalicioni fitues, askush tjetër,” ka deklaruar ajo duke theksuar se koalicioni LVV/GUXO/Alternativa ka dalë fitues i qartë në këto zgjedhje, me më shumë vota sesa partitë e renditura në vendin e dytë dhe të tretë së bashku.

Gërvalla ka kritikuar qëndrimin e opozitës duke i drejtuar një pyetje publike: “Institucionalista, ku jeni? Si ia shpjegoni votuesit tuaj këtë bllokim të pakuptimtë dhe të papranueshëm të institucioneve?”

Ajo shtoi se, nëse opozita pretendon se koalicioni fitues nuk i ka numrat për të formuar qeverinë, atëherë duhet të sillen institucionalisht dhe të lejojnë të paktën hapat e rregullt drejt konstituivit. “Apo jeni ende të zënë me diskutimet se kush kujt ia vodhi votat me postë?” pyeti ajo me ironi.

Në përfundim, Gërvalla theksoi se e mërkura është një mundësi e re për t’i dhënë fund bllokadës. “Të mërkurën është shansi i radhës për të hequr dorë nga bllokadat fëmijërore dhe për të vazhduar me konstituivin e Kuvendit të Republikës,” përfundoi ajo. /Kosova.info/


Go to TOP