Myftiu Tërnava shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut: Një zë i paqes dhe urtësisë ndërfetare

Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, ka shprehur me dhembshuri lajmin për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut, udhëheqësit të Kishës Katolike duke vlerësuar lart rolin e tij në shërbim të paqes, humanizmit dhe bashkëjetesës ndërfetare.

“Në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, të institucioneve të saj, si dhe në emrin tim personal, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për shtetin e Vatikanit – selinë qendrore të Kishës Katolike – për Kishën Katolike në vendin tonë, si dhe për të gjithë besimtarët katolikë,” thuhet në mesazhin e tij.

Myftiu Tërnava kujtoi Papa Françeskun si një zë të fuqishëm të dialogut, urtësisë dhe përkushtimit të palëkundur ndaj ndërtimit të urave të mirëkuptimit ndërmjet feve dhe popujve. “Ai punoi pa u lodhur për promovimin e paqes dhe të vlerave fetare duke lënë pas një trashëgimi të çmuar për brezat që vijnë,” theksoi ai.

Në mënyrë të veçantë, Myftiu kujtoi takimin e tij me Papa Françeskun në nëntor të vitit 2014, të zhvilluar në një atmosferë mirëkuptimi dhe sinqeriteti. “Ky takim mbetet një kujtim i veçantë dhe një shtysë për të vazhduar rrugën e bashkëpunimit dhe të vlerave të përbashkëta,” shtoi ai.

Ndarja nga jeta e Papa Françeskut është përjetuar me pikëllim në mbarë botën, ku figura e tij ka lënë gjurmë të thella në promovimin e paqes, drejtësisë dhe harmonisë ndërfetare. /Kosova.info/


Go to TOP