Ahmeti: Kontributi i Sylejman Shaqirit në media i pazëvendësueshëm

Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, tha se kontributi i Sylejman Shaqiri në gazetari dhe media është i pazëvendësueshëm.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të gazetarit të shquar dhe mikut të çmuar të shumëkujt, Sylejman Shaqiri. Kontributi i tij në gazetari dhe media është i pazëvendësueshëm. Që nga fillimet në Radio Ferizaj, e më pas në Radio Televizionin e Prishtinës, Radio Kroacia, Radio Tirana dhe deri te drejtimi i Radio Televizionit të Kosovës, Sylejmani e jetoi misionin e gazetarit me përkushtim, guxim dhe ndershmëri. Ai ishte zëri i së vërtetës në kohë të vështira dhe udhërrëfyes për brezat e rinj të gazetarëve”, shkroi Ahmeti në Facebook.

Sipas tij, Sylejman Shaqiri nuk ishte vetëm një profesionist i rrallë, por edhe një personalitet që rrezatonte njerëzi, vlera e përkushtim ndaj atdheut dhe fjalës së lirë.

“Humbja e tij është e madhe për gjithë botën e medias, për qytetin e tij të dashur, Ferizajn, dhe për gjithë ata që patën nderin ta njohin. Në emrin tim personal dhe të Bashkimit Demokratik për Integrim, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Shaqiri, kolegët, miqtë dhe të gjithë të afërmit e tij”, tha ai. /Kosova.info/


Go to TOP