Dështon zgjedhja e Albulena Haxhiut si kryeparlamentare
Ka dështuar zgjedhja e kandidates së Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu. Kanë votuar vetëm 57 deputetë pro emërimit të saj.
Albulena Haxhiu nuk ka arritur të zgjidhet kryetare e Kuvendit të Kosovës të legjislaturës së nëntë.
“Konstatoj se Kuvendi i Kosovës me 57 vota për, 20 vota kundër dhe 3 abstenime nuk e ka votuar kandidaten e propozuar për kryetare të Kuvendit nga LVV”, ka njoftuar Avni Dehari.
Në votimin për kandidaten e LVV-së për kryeparlamentare, tre deputetët e Nismës abstenuan, ata të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së nuk morën pjesë në votim.
Dehari kishte njoftuar gjatë fillimit të votimit, se në sallë ishin 118 deputetë. Seanca vazhdoi me një pauzë të shkurtër.
Lëvizja Vetëvendosje si partia me më së shumti vota, ka propozuar për kryeparlamentare të legjislaturës së nëntë emrin e saj.
“LVV për kryetare të Kuvendit të Kosovës e propozon Albulena Haxhiun”, ka thënë nënkryetari i kësaj partie, Glauk Konjufca.
