Gërvalla: Zero tolerancë ndaj mohuesve të Republikës – përfundon mandati i Devollit si Konsull Nderi
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka deklaruar se mandati i Shkëlqim Devollit si Konsull Nderi i Republikës së Kosovës në Mal të Zi për rrethin konsullor të Rozhajës ka marrë fund. Ajo theksoi se ky vendim është marrë menjëherë sapo është informuar për rastin dhe është i pakthyeshëm.
“Qëllimi është i qartë – mbrojtja e dinjitetit të Republikës së Kosovës nga çdo përpjekje për mohimin e saj,” tha Gërvalla duke theksuar se përdorimi i formulimeve si “Peć, Serbia” është i papranueshëm dhe në kundërshtim me realitetin shtetëror të Kosovës.
Ministrja akuzoi individë të caktuar se, ndërsa përfitojnë nga Kosova, regjistrojnë biznese me adresa serbe, përhapin propagandë kundër institucioneve shtetërore dhe investojnë për të dëmtuar imazhin e vendit në opinionin publik.
“Ky vendim është më shumë se një akt administrativ, është një betim institucional që Kosova nuk do të përfaqësohet kurrë nga ata që i shërbejnë narrativave të shteteve që nuk e njohin pavarësinë tonë,” përfundoi Gërvalla.
Ajo shtoi se kushdo që mohon shtetësinë e Kosovës, nuk mund të jetë përfaqësues i saj, dhe paralajmëroi se institucionet do të jenë të vendosura ndaj çdo veprimi që cenon të vërtetën shtetërore të Republikës. /Kosova.info/
