Aliu: Ferizaj është më i varfër pa Sylejman Shaqirin

Kryetari i Ferizajt ka ngushëlluar familjen e Shaqiri me rastin e vdekjes së Sylejman Shaqirit.

Aliu thotë se me dhembje e pikëllim të thellë, u morë lajmi për ndarjen nga jeta të gazetarit të mirënjohur, ish-drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, mikut të tij të çmuar, ferizajasit të shquar, Sylejman Shaqiri.

“Sa e rëndë është kjo ditë, ky pikëllim për amshimin e Sylës, të rrallit personalitet që gjithë jetën e tij, rrezatoi mirësi, virtyte të çmuara njerëzore, vlera të dëshmuara profesionale e mbi të gjitha misionin që ai kishte gjithë jetën, misionin për të vërtetën, për informimin e publikut”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.

Aliu thekson se sot Ferizaj është më i varfër, pa emrin e tij, pa Sylejman Shaqirin, që mishëronte ferizajasin e shquar e të përkushtuar në profesion.

“Gazetaria shqiptare humbi një nga emrat e përveçëm të saj, porse krenarë na mban trashëgimia e tij, vepra jetësore që la prapa, si udhërrëfim për brezat e sotëm e të së ardhmes. Lamtumirë miku im, Sylejman Shaqiri! Lamtumirë ferizajas i rrallë! Ngushëllime familjes Shaqiri, kolegëve të profesionit, miqve e të njohurve të të ndjerit! Shpirti i tij, u prehtë në paqen e parajsës së paskaj”, përfundon telegrami i ngushëllimit i kryetari të Ferizajt. /Kosova.info/


Go to TOP