Protestojnë studentët në Serbi, kërkojnë reformë në REM ose mbyllje të RTS
Prej të hënës, studentët po bllokojnë objektet e mediumit publik, Radio-Televizionit të Serbisë, në Beograd, duke kërkuar raportim të paanshëm për situatën në vend dhe protestat që po tronditin Serbinë.
Punonjësve nuk u lejohet hyrja, ndërsa RTS-i, sipas tyre, punon kundër qytetarëve.
Studentët thonë se REM-i, organi rregullativ për mediet elektronike, është jofunksional dhe nën ndikim politik.
Kërkesat e tyre janë të qarta: shpallja e konkursit të ri për REM-in ose mbyllja e RTS-it. Ata nuk japin deklarata për media, por theksojnë se bllokada nuk do të ndalet pa përmbushjen e kërkesave. Qytetarët u japin mbështetje të vazhdueshme.
“RTS-i është vetëm një pjesë e sistemit që po shkatërron shtetin dhe popullin. Duhet të luftojmë për ta ndryshuar këtë,” ka thënë Jellena Popoviq, inxhinjere nga Beogradi.
Presidenti Aleksandër Vuçiq e ka quajtur bllokadën akt dhune dhe ka kërkuar reagim nga institucionet.
“Që nga vitet e 90-ta jam në rrugë, duke mbështetur ndryshime demokratike. Shpresoj që studentët do të arrijnë atë që ne nuk mundëm,” është deklaruar Dragisha Maksimoviq, qytetar i Beogradit.
RTS transmeton programin nga studio alternative, ndërsa drejtoria thotë se po punon në kushte të jashtëzakonshme. Protestat nisën në nëntor, pas tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona. Studentët kërkojnë drejtësi, përgjegjësi dhe sundim të ligjit.
