Rama ndan 71 mirënjohje për familjet e dëshmorëve: Kujtesa e Kryeqytetit mbetet e gjallë dhe krenare

Në një seancë të veçantë përkujtimore të mbajtur sot në Kryeqytet, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka nderuar 71 familje të dëshmorëve dhe heronjve të Komunës së Prishtinës me mirënjohje simbolike për kontributin dhe flijimin e tyre për lirinë e Kosovës.

“Në përulje e mirënjohje, ndamë 71 mirënjohje për familjet e dëshmorëve dhe heronjve të Komunës së Prishtinës, një shenjë e vogël përballë madhështisë së flijimit të tyre,” u shpreh Rama duke theksuar se ky akt është dëshmi e dashurisë, respektit dhe kujtimit që Kryeqyteti ruan për ta.

Kryetari Rama tha se kujtesa kolektive e Prishtinës është më e gjallë se kurrë – e mbushur me dhimbje, krenari dhe nder për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë që qytetarët sot e gëzojnë. Ai shtoi se angazhimi i institucioneve lokale është i palëkundur për ta bërë sakrificën e tyre themel të një të ardhmeje më të ndritur.

“Zotimi ynë është i qartë: kurrë nuk do të harrojmë. Do të punojmë çdo ditë që sakrifica e tyre të mos mbetet vetëm kujtim, por të bëhet themel i një të ardhmeje të ndritur,” përfundoi ai duke përmbyllur ceremoninë me fjalët: “Lavdi përjetë të rënëve për liri!” /Kosova.info/


Go to TOP