Vasfije Krasniqi Goodman falënderon Presidenten Osmani për dekoratën “Nderi i Republikës”
E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe aktivistja e njohur për të drejtat e të mbijetuarve, Vasfije Krasniqi Goodman, ka shprehur mirënjohje të thellë ndaj Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, për dekorimin e saj me titullin “Nderi i Republikës”.
Përmes një reagimi publik, Krasniqi Goodman ka theksuar se kjo dekoratë është një nder i veçantë dhe shumë domethënës jo vetëm për të personalisht, por edhe për familjen e saj dhe të gjitha të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.
“Me mirënjohje dhe nderim të thellë, ju falënderoj për ndarjen e dekoratës ‘Nderi i Republikës’. Kjo dekoratë është një nder i veçantë dhe shumë domethënëse për mua, familjen time dhe të mbijetuarat në përgjithësi,” ka deklaruar ajo.
Krasniqi Goodman shtoi se ky moment e inkurajon edhe më shumë që të vazhdojë përkushtimin e saj për të avokuar me përgjegjësi dhe pasion për kauzën e përbashkët të drejtësisë dhe dinjitetit për të gjitha viktimat.
Presidentja Osmani ka vlerësuar rolin e Vasfije Krasniqi Goodman si zë i fuqishëm i të mbijetuarave të dhunës seksuale dhe simbol i guximit dhe qëndresës në kërkimin e së vërtetës dhe drejtësisë. /Kosova.info/
