STOP krizës institucionale!
Shkruan: Florim ZEQA
Në të kaluarën dita e zgjedhjeve dhe dita e formimit të institucioneve ishin festë për qytetarët e Kosovës dhe jo stres dhe pritje, jo ankth dhe shqetësim se çfarë do të bëhet me të ardhmen e vendit!
E treta e vërteta apo e treta e zezë për Kosovën?!
Pas dy dështimeve të njëpasnjëshme dhe të qëllimshme të seancës konstituive të institucioneve të reja të shtetit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, përpjekja e tretë duhet të jetë vendimtare për dhënien fund të krizës artificiale.
Spektaklet mediatike në Kuvend janë kthyer në tragjikomedi për votuesit, përkatësisht për qytetarët e zhgënjyer dhe të thyer shpirtërisht nga kjo klasë e papërgjegjshme politike.
Në vazhdimin e tretë të Seancës Konstituive deputetët e zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve duhet të jenë në nivelin e detyrës dhe të vendosur në tejkalimin e kësaj krize artificiale të krijuar nga liderët e partive politike për interesat e tyre personale!
Në rast se tentohet të përsëritet repriza e ditës së enjte të 17 prillit, duhet të kundërshtohet me çdo kusht nga deputetët me qëndrim në Sallën e Parlamentit, qoftë edhe pa prezencën e kryesuesit kortezual, me caktimin e një kryesuesi të ri nga shumica e deputetëve për të proceduar tutje me votimin e mandateve të deputetëve pavarësisht (mos) dorëheqjes faktike të Qeverisë!
Ngase askush nuk e ka të drejtën e mbajtjes peng të Konstituivit të Kuvendit, përkatësisht të zgjedhjes së organit të ri ligjvënës në vend, si hapë të parë drejtë mandatarit të Qeverisë, pavarësisht kampit politik!
Qytetarët e vendit kanë votuar për zgjedhjen e një Qeverie të Re, e jo për vazhdimësi dhe as “Status Quo” politike në Kuvend!
Pra, dita e shtunë, e 19 prillit 2025 duhet të jetë dita “D” e formimit të institucioneve shtetërore.
Nëse ka vullnet politik nga partitë parlamentare zgjidhja është fare e thjeshtë! Pengesa teknike e votimit të mandateve të deputetëve evitohet fare lehtë, për të kaluar në pikën e dytë sipas rendit dhe ligjit.
Fillimisht le ta provon partia fituese me kandidatin e saj për kryetar të Kuvendit, nëse nuk i ka numrat, pa asnjë pengesë duhet t’i lëshojë rrugë partisë së dytë që ta provojë sigurimin e shumicës në Kuvend.
Në të kundërtën, nëse edhe partia e dytë nuk e siguron shumicën parlamentare, atëherë me automatizëm duhet të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme sipas afateve kushtetuese, pa e humbur më asnjë ditë të vetme.
Askush nuk guxon të luaj me fatin popullit, edhe ashtu me shpresa të thyera për jetë në këtë vend, e aq më pak ta vënë në pikëpyetje funksionalitetin dhe ekzistencën e shtetit të pakonsoliduar në aspektin ndërkombëtar.
Ata që nuk e kanë vullnetin dhe guximin për të marrë përgjegjësitë konformë rrethanave të krijuara politike, përkatësisht pushtetin në këto rrethana të vështira gjeo-strategjike, le të tërhiqen, por assesi nuk guxojnë të bëhen pengesë e formimit të institucioneve shtetërore!
Pavarësisht numrit të votave dhe pozicionit paszgjedhor, të gjitha partitë janë njëjtë përgjegjëse për mos(formimin) e shpejtë të institucioneve të reja shtetërore. Këtë e kanë obligim para qytetarëve dhe para më shumë se 900 mijë zgjedhësve kosovarë dhe atyre në mërgatë!
STOP dyfytyrësisë politike në Kuvend!
STOP pazareve për interesa personale të liderëve partiakë!
