Kelmendi: Pse u dorëzua Albin Kurti sot? Po hyn Kosova në skenarin e tij të tmerrshëm!

Gazetari dhe analisti Adriatik Kelmendi ka ngritur akuza serioze ndaj Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti duke e akuzuar për bllokim të qëllimshëm të punës së Kuvendit dhe zvarritje të procesit demokratik në vend. Në një reagim të ashpër, Kelmendi pyet se përse Kurti u dorëzua në seancën e sotme konstituive të Kuvendit duke sugjeruar një prapavijë politike të frikshme.

“100 deputetë në sallë, 52 vota i kishte në xhep. Raporti kalon me shumicë të thjeshtë. 52 nga 100 mjafton,” shkroi Kelmendi duke aluduar se Kurti e kishte numrin e mjaftueshëm të votave për të kaluar raportin, por zgjodhi të mos e bëjë.

Sipas tij, arsyeja e vetme për këtë bllokadë është mungesa e votave të nevojshme për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit dhe për të formuar qeverinë e re: “Nuk i ka votat për kryetar Kuvendi dhe nuk i ka votat për qeveri!”.

Kelmendi paralajmëron një “skenar të tmerrshëm” ku Avni Dehari, si deputeti më i moshuar që kryeson seancën konstituive, mund të abuzojë me të drejtën për ta shtyrë seancën për javë të tëra. “Sot e ndërpreu në mënyrë arbitrare atë. Seanca duket se do të vazhdojë vetëm kur Albini i siguron 61 deputetë,” shton ai.

Nëse Kurti nuk arrin ta formojë qeverinë, Kelmendi parasheh një skenar ku pushteti i kalon përkohësisht opozitës, për një qeveri afatshkurtër 3-4 muajshe, e cila do ta ketë të pamundur të funksionojë.

“Me këtë skenar të mundshëm humbim të gjithë. Kosova më së shumti. Qofsha i gabuar! Por era e keqe po i vjen,” përfundon reagimin e tij Kelmendi.

Ky qëndrim ngre alarmin për një krizë të re politike në vend, me pasoja të thella për funksionimin e institucioneve dhe për stabilitetin demokratik të Kosovës. /Kosova.info/


Go to TOP