Vargje mbushur humor e satirë-Thirrje për ndërgjegjësim
Shkruan: Bedri TAHIRI
Izet ABDYLI “Fjalori parlamentit” vargje poli(e)tike, poezi, botues: Art Club “Rifat Kukaj”
Izet Abdyli tashmë ka krijuar profilin e vet krijues, duke na dhuruar mbi njëzet libra (poezi, publicistikë, arkivistikë). Pra, edhe pse shkrimet e tij janë të zhanreve të ndryshme, vokacion kryesor ka vargun poetik. Mbase edhe ka të drejtë, ngase poezia konsiderohet mbretëresha e letërsisë. Ajo është e veçantë, dhe, siç thotë edhe Lasgushi ynë i madh: Se si bëhet poezia e gjen vetë poeti, po të jetë poet!
E Izeti, me kohë e ka gjetur se si bëhet poezia. Një poezi e qartë, lakonike, kuptimplote, e drejtpërdrejtë, e lirë, pa ngurtësime e rregulla teorike.
Kësaj here na erdhi me një dorëshkrim të veçantë, me një titull po ashtu të veçantë e mjaft sugjestiv “FJALORI I PARLAMENTIT”. Thënë të drejtën, shumicën prej tyre i kisha lexuar edhe më herët, mirëpo, kështu të përmbledhura në një vend e të futura nën një çati, i përjetova më ndryshe dhe i shijova më mirë.
Humori dhe satira janë të shëndetshme, thuhej që në antikë. Këtë lajtmotiv e kanë të gjitha poezitë e kësaj përmbledhjeje të Izet Abdylit. Tehu i mprehtë i satirës së tij fshikullon dukuritë negative të përditshmërisë sonë, që na kanë ngufatur. Këto stërkeqje shoqërore sillen e mbështillen kado e kudo, por më dukshëm shihen kur shpërthejnë në parlament, ku:
Nuk kanë nevojë studiuesit
Të hulumtojnë në terren
Leksikun për fjalor
E gjejnë në parlament…
Poeti përdor humorin, satirën, ironinë dhe, herë-herë, edhe sarkazmin si shprehje letrare, në radhë të parë për të argëtuar lexuesin, por edhe për të përcjellë porosi të qarta e shumë domethënëse. Kështu, kur e thumbon servilizmin, një nga shëmtitë më të ndyra, ai alarmon:
Kujdes nga servili
Që të lëvdon ndër sy
Se ta bënë llagëmin
Një metër me dy
Autori vë në lojë edhe politikanët tanë, të cilët në prag të zgjedhjeve, bëjnë gara marramendëse për të zënë frone e karrige, duke mbushur listat me të zgjedhurit e tyre:
Listat e partive
Kalavesh me rrush
Me tituj e diploma
Po nuk i njeh kush
Edhe pse këto vargje të mbushura me humor e satirë, në vete ngërthejnë edhe fakte historike, siç është fjala për skilen e vjetër – Serbinë, që përherë i qëndron besnike manisë së saj të vjetër-rrenës:
Mania e vjetër
Nuk harrohet lehtë
Prapë ka ngre kry
Rrenën e ka ves
Poetin e shqetëson edhe fati i mërgimtarit tonë, që rropatet andej e këndej dhe sikur prapë mbetet disi i tëhujësuar:
I huaj në dhe të huaj
I huaj në Atdhe
Ç’fat paskemi ne!?
Paudhësitë e përditshmërive tona shkojnë larg e larg, sa njeriu i ndershëm mëdyshjet para dilemës hamletiane, duke mos ditur të përzgjedh cila është më e mirë:
Lirinë në robëri
Apo robërinë në liri
Pra, romuzet e tij na bëjnë të qeshim e të qajmë përnjëherësh, për gjithë ato shëmti e çoroditje të shoqërisë sonë të sotme, të cilat na shpijnë deri në një zhgënjim të thellë. Thumbat e tij “pa helm”, pickojnë më shumë se vetë greizit: egoistët, servilët, mashtruesit, intri-gantët, rrahagjokësët, injorantët, vetëkëna-qësinë, karrierizmin, pafytyrësinë, nepotizmin, pangopësinë, vjedhësit e lirisë, keqpërdoruesit, lavdaçët, mohueszinjtë, nostalgjikët e se djesh-mes, batakxhinjtë, smirakët, inatxhinjtë e pa-përmisueshëm etj.
Pa u thelluar më tepër në shpjegimin e këtyre poezive me vlera shumëdimensionale (tekefundit poezia nuk shpjegohet, por lexohet e përjetohet), të shkruara me përkushtim e me një stil origjinal, marrë guximin të them se libri “FJALORI I PARLA-MENTIT” i poetit Izet Abdyli paraqet një nga perlat e poezisë së sotme shqiptare të llojit të vet, të poezisë humoristike-satirike dhe e plotëson një zbrazëti në hullinë e këtij zhanri që, mjerisht, kohëve të fundit pak po lëvrohet.
