KMDLNj kundërshton marrëveshjen Kosovë–Danimarkë: Trafikim me të dënuar dhe shkelje flagrante e të drejtave të njeriut

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ashpër kundër marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Danimarkës për transferimin e 300 të dënuarve në Burgun e Pasjakut në Gjilan, duke e cilësuar këtë veprim si trafikim me qenie njerëzore dhe cenim të rëndë të të drejtave të njeriut.

Sipas KMDLNj, kjo marrëveshje, e cila do të zgjasë për një periudhë 10-vjeçare, u imponon Kosovës një barrë të padrejtë dhe diskriminuese. Të dënuarit që pritet të transferohen nuk janë shtetas danezë, por kryesisht nga Afrika dhe shtete tjera që Danimarka i konsideron si “problematike”. Ata janë të dënuar për krime të rënda dhe shumica janë përsëritës të veprave penale. Marrëveshja, siç vlerëson KMDLNj, është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe me parimet e barazisë për të dënuarit brenda sistemit penal kosovar.

KMDLNj e ka akuzuar Ministrinë e Drejtësisë për mashtrim të opinionit publik dhe mungesë transparence, ndërsa deputetët e Kuvendit të Kosovës i ka quajtur të papërgjegjshëm për faktin se e votuan marrëveshjen pa e shqyrtuar siç duhet. Sipas tyre, kjo marrëveshje jo vetëm që diskriminon të dënuarit në Kosovë, por e shkatërron edhe Shërbimin Korrektues të vendit dhe i hap rrugë një precedent të rrezikshëm.

Më tej, KMDLNj paralajmëron se pas Danimarkës, edhe shtete të tjera si Belgjika, Austria, Holanda, Britania e Madhe dhe madje edhe SHBA mund të ndjekin të njëjtin shembull, duke kërkuar transferimin e të burgosurve dhe refugjatëve të padëshiruar në Kosovë, çka do të përforconte edhe më tej rolin e Kosovës si “rezervuar i mbetjeve njerëzore”.

KMDLNj kërkon rishqyrtimin urgjent të kësaj marrëveshjeje dhe refuzimin e çfarëdo kërkese të ngjashme nga shtetet tjera, duke theksuar se Kosova nuk duhet të pranojë zbatimin e ligjeve të huaja brenda territorit të saj dhe nuk duhet të lejojë përdorimin e dy standardeve në trajtimin e të dënuarve.

Sipas KMDLNj-së, nëse Kosova do të ishte pjesë e Këshillit të Evropës, kjo marrëveshje do të ishte rrëzuar menjëherë si e papajtueshme me të drejtën ndërkombëtare. /Kosova.info/


Go to TOP