Rashiq: Nuk jam optimist që qeveria votohet nesër

Kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë (PLDM) dhe njëherësh ministër në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, është regjistruar sot si deputet i ardhshëm i Kuvendit të Kosovës.

Rashiq, tha se nuk është optimist se do të votohet nesër qeveria e re, duke theksuar se opsioni më i mirë në këtë moment është që partia më e madhe Lëvizja Vetëvendosje të marrë përgjegjësinë për krijimin e qeverisë. Po ashtu Rashiq nuk përjashtoi mundësinë e ndonjë ngërçi të shkurtë politik.

“Nuk jam optimist që do të votojmë nesër për qeverinë. Nuk është hera e parë që mund të ndodh ndonjë ngërç i shkurtër, kemi pasur rastin në 2014 për dy-tre muaj, pastaj u zgjidh ajo krizë. Në këtë rast po konsideroj se varianti më i mirë do të ishte që partia më e madhe të formonte qeverinë sepse çdo opsion tjetër do të komplikonte shumë më shumë procesin, qoftë demokratizimin, udhëheqjen qeveritare, qoftë afrimin e Kosovës drejt BE-së. Opsioni më i mirë është që partia më e madhe të marrë udhëheqjen”, tha Rashiq.

Këtë deklaratë Rashiq e bëri pas regjistrimit si deputet i ardhshëm i Kuvendit të Kosovës.

Kurse i pyetur rreth shantazheve ndaj serbëve të Kosovës, ai tha se kjo nuk është diçka e re.

“Shantazhet janë prej 2013 nuk është diçka e re. Unë e di që kanë ndodh e po ndodhin ndaj politikës që përfaqësoi unë, bashkëpunëtorëve të mi. Partia politike që është aksidentalisht në pushtet tash në Serbi e keqpërdorë në çdo mënyrë jo vetëm politikanët por çdo qytetarë serb që jeton këtu. Keni parë atë mitingun e madh që ndodhi në Serbi dhe të gjithë ata që kanë shkuar nga Kosova atje kanë qenë të shantazhuar. Njerëzit këtu gjatë këtyre 12-13 vjetëve në një kontinuitet janë maltretuar nga ana e eminencës, hijes në aspektin e udhëheqjes së politikës që është dirigjuar nga ana e regjimit të Beogradit”, tha Rashiq.


Go to TOP