Kurti: Lufta e Agim Ramadanit – vepra më e madhe e lirisë sonë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar veprën dhe sakrificën e komandantit legjendar Agim Ramadani, në 25-vjetorin e rënies së tij në Betejën e Koshares. Në një postim përkujtimor, Kurti vlerësoi figurën e Ramadanit si të gjithanshme, por theksoi se vepra e tij më e lartë mbetet lufta për çlirim.

“Angazhimi i tij si luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte vepra më sipërore mes veprave të tij aq të shumëllojta: nga pikturat te poezia dhe nga fjalimet frymëzuese te mësimet ushtarake,” ka deklaruar Kurti.

Ai kujtoi se si piktor, Ramadani ka lënë pas tablo të krijuara me ndjeshmëri të thellë, ndërsa si poet, në vargjet e tij ka derdhur pasionin dhe dashurinë për lirinë. Por mbi të gjitha, është vepra komplekse e luftës dhe angazhimit për lirinë e Kosovës që e bën figurën e tij të pavdekshme.

“Nga rënia e tij më 11 prill 1999 përgjatë luftimeve të Betejës së Koshares, u ngrit vepra e tij më e madhe, e krijuar në bashkautorësi me të gjithë dëshmorët – vepra e lirisë,” theksoi Kurti.

“Lavdi Komandant Agim Ramadanit dhe të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!”, përfundoi ai. /Kosova.info/


Go to TOP