Krasniqi: Si të protestojmë kundër shtrenjtimit të energjisë kur i prin “Luani” i faturave të rreme?
Gazetari Besnik Krasniqi ka reaguar ashpër ndaj organizimit të protestës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike duke vënë në pikëpyetje integritetin e njërit prej organizatorëve kryesorë.
Në një postim publik, Krasniqi e kujton të kaluarën e këtij personi gjatë qeverisjes së Ramush Haradinajt, kur sipas tij, përmes organizatës së tij joqeveritare kishte përfituar fonde të mëdha nga buxheti i shtetit nën arsyetimin e aksionit “Ta Pastrojmë Kosovën”. Sipas një hulumtimi të bërë nga KOHA asokohe, Qeveria kishte ndarë 815 mijë euro për këtë aksion, por shumë nga këto mjete ishin shpenzuar pa procedura dhe ishin mbuluar me fatura të dyshimta.
“Me mbi 23 mijë sandviçë dhe pije të një restoranti në Mitrovicë, u arsyetuan shpenzimet për vullnetarët, por asgjë nuk ishte gatuar realisht. Madje vetë pronari i restorantit kishte pohuar se faturat ishin të rreme,” thekson Krasniqi.
Ai përmend edhe katër fatura të tjera – dy për ushqim dhe dy për organizim evenimentesh – në vlera që tejkalojnë shumën 75 mijë euro, të cilat ishin marrë si të vlefshme nga Zyra e Kryeministrit dhe Auditori i Përgjithshëm.
“Luani me megafon sot nuk e ka hallin e faturave të shtrenjta të energjisë,” përfundon Krasniqi. “Problemi i tij është që prej katër vitesh nuk ka pasur mundësi ta kafshojë buxhetin e shtetit dhe të nxjerrë fatura false për t’u pasuruar.” /Kosova.info/
