Hapet grup-kapitulli i dytë Shqipëri–BE
Më 14 prill, në Luksemburg do të zhvillohet konferenca e katërt ndërqeveritare e bisedimeve mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë, ku do të hapet grup-kapitulli i dytë i negociatave për tregun e brendshëm.
Data është konfirmuar zyrtarisht nga presidenca polake e BE-së, pas një vendimi të marrë me konsensus nga ambasadorët e 27 shteteve anëtare të BE-së në Bruksel.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku negociatat i konsideron si “më intensivet në historinë e integrimit”.
“Po si thanë? S’ka më hapje kapitujsh ëëë?! U alarmua Europa nga narkodiktatura ëëë?! Madje mua s’më dhanë as darkë se u solla keq ëëë?! Ëh ëh ëh… Të hënën në BE për Konferencën e Katërt të negociatave dhe një seri tjetër kapitujsh që hapen. Këto janë negociatat më intensive në historinë e integrimit dhe kur mendon që Mali i Zi negocion që nga 2012, ndërsa në që vjet dhe kur mendon edhe që kalendari ynë është vetëm 3 vjet, pra i mbyllim në 2027 e jemi gati për të hyrë në BE, atëherë s’ke si mos u thuash honxhobonxhove të kënetës politike e mediatike dhis is ëë mirrakëll of fridom”, shkruan Rama. /Kosova.info/
