Abdixhiku: Regjistrojmë mandatin e katërt – ndryshimi vazhdon fort dhe pa ndalur
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur regjistrimin e mandatit të katërt të kësaj legjislature duke theksuar përkushtimin dhe unitetin e grupit parlamentar të partisë që ai udhëheq. Ai vlerësoi lart përbërjen aktuale të grupit duke përmendur se gjysma e deputetëve janë të rinj, ndërsa të tjerët kanë përvojë të gjatë politike, deri në shtatë mandate.
“Së bashku me kolegët e tjerë të LDK-së, ata që e lartnojnë këtë shtëpi të madhe të demokracisë në secilin veprim, regjistruam mandatin e katërt. Ishim pak, po bëhemi më shumë!”, shkroi Abdixhiku.
Ai theksoi se mesazhi i 171 mijë votuesve të LDK-së është i qartë dhe se do të nderohet me punë, dinjitet dhe mbajtje të fjalës.
“LDK-në që e keni kërkuar do ta keni; dhe asnjë agjendë, asnjë përpjekje e asnjë pazar s’mund ta ndalë! LDK, votuesi e populli, po bëhen një. Demokraci; demokraci dhe asgjë më pak se kaq!”, u shpreh ai.
Në fund, Abdixhiku i uron mbarësi rrugëtimit të ri duke e cilësuar LDK-në si një lidhje të shenjtë për vendin dhe të ardhmen e demokracisë në Kosovë. /Kosova.info/
