Vetëm 21% e premtimeve zgjedhore lidhen me performancën komunale: Prizreni, Obiliqi e Suhareka kryesojnë, Vitia e Drenasi në fund

Instituti GAP dhe Helvetas/Projekti për Decentralizimin dhe Përkrahje Komunave (DEMOS), bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, Zvicra dhe Suedia, publikuan sot raportin “Ndërlidhja e premtimeve zgjedhore me treguesit e performancës komunale”. Ky raport analizon nëse ekziston një lidhje mes premtimeve të dhëna nga kryetarët e komunave gjatë fushatave zgjedhore dhe treguesve të Sistemit të Performancës Komunale (SPMK), i menaxhuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

Raporti përfshin 14 komuna të Kosovës dhe konstaton se nga gjithsej 800 premtime zgjedhore të analizuara, vetëm 166 prej tyre (21%) kanë lidhje të plotë ose të pjesshme me treguesit e SPMK-së. Ndërkaq, 634 premtime (79%) nuk ndërlidhen fare me këtë sistem. Sipas rezultateve, tri komunat që kanë ndërlidhje më të lartë ndërmjet premtimeve dhe treguesve janë Prizreni, Obiliqi dhe Suhareka. Në anën tjetër, Vitia, Klina dhe Drenasi renditen me nivelin më të ulët të përputhshmërisë.

Raporti thekson se ndonëse SPMK është një sistem i strukturuar, i detyrueshëm dhe i monitoruar nga MAPL, premtimet zgjedhore nuk i nënshtrohen asnjë mekanizmi institucional për verifikim apo vlerësim. Kandidatët janë të lirë të premtojnë sipas fushave që zgjedhin, shpesh duke anashkaluar treguesit që lidhen me procese administrative dhe teknike, të cilat nuk konsiderohen “tërheqëse” për votuesit.

Gjithashtu, nga 94 tregues të përfshirë në SPMK, 35 prej tyre nuk figurojnë në asnjë nga premtimet e dhëna. Kjo përforcon idenë se fushatat zgjedhore në nivel lokal fokusohen më shumë në çështje të dukshme për qytetarët, siç janë investimet në infrastrukturë, sesa në përmirësimin e proceseve të brendshme të qeverisjes.

Ky raport ofron një pasqyrë të rëndësishme për të kuptuar boshllëkun mes asaj që premtohet në fushata dhe asaj që matet realisht përmes sistemit zyrtar të performancës duke nënvizuar nevojën për një qasje më të integruar dhe transparente në planifikimin dhe zbatimin e politikave lokale. /Kosova.info/


Go to TOP