Baraliu bën thirrje për qeveri uniteti: Koha për fundin e katrahurës politike dhe tranzicionit në Kosovë

Opinionisti politik Bleron Baraliu ka reaguar ndaj refuzimit të liderëve opozitarë për t’u takuar me kryeministrin Albin Kurti duke e cilësuar këtë qëndrim si të paarsyeshëm dhe të dëmshëm për interesin kombëtar.

“Sado që Albin Kurti ka udhëhequr një diskurs negativ dhe përçmues ndaj kundërshtarëve të tij, është e pakuptimtë që Lumir Abdixhiku të refuzojë madje edhe të takohet me të”, ka deklaruar Baraliu duke shtuar se këtë duhet ta bëjnë edhe Bedri Hamza e Memli Krasniqi. Sipas tij, pikërisht kur ekzistojnë mospajtime të thella, takimet mes liderëve politikë janë të domosdoshme.

Në këtë frymë, Baraliu ka bërë thirrje për ndërtimin e një qeverie të unitetit dhe shpëtimit kombëtar duke theksuar nevojën që tri partitë kryesore politike të Kosovës të bashkërendojnë veprimet edhe me palët reciproke në pjesët tjera të Shqipërisë.

“Po përballemi me një situatë delikate gjeopolitike dhe një regres të rrezikshëm. VV nuk ka bërë gati asgjë për ta ndryshuar këtë drejtim,” ka theksuar Baraliu.

Ai ka shtuar se një konsensus politik dhe institucional mes faktorëve politikë në Prishtinë, Tiranë e Shkup, mund të jetë një aset i fuqishëm për përfitimin strategjik të shqiptarëve nga çrregullimet që po ndodhin në skenën ndërkombëtare, përfshirë edhe klimën politike në Shtetet e Bashkuara.

Sipas Baraliut, fundi i periudhës së tranzicionit dhe tejkalimi i katrahurës politike pasluftës, janë kushte të domosdoshme për një të ardhme më stabile për Kosovën. /Kosova.info/

Go to TOP