Muharremi: Reflektimi i LVV-së është hap i mirë, por qeveri stabile kërkon bashkëpunim të gjerë

Analisti Shenoll Muharremi ka përshëndetur vendimin e Lëvizjes Vetëvendosje për t’i dërguar letër për konsultime Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) duke e vlerësuar këtë si reflektim pozitiv nga qëndrimet e mëparshme.

“Më vjen mirë që LVV ka reflektu nga qëndrimet e mëparshme dhe i ka dërgu letër për konsultime LDK-së. Shpresoj që kjo nuk është bë vetëm si procedurë, por që ka vullnet me i konsideru opcionet për një qeveri stabile dhe me kompetencë,” ka deklaruar Muharremi.

Ai ka theksuar se si partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, LVV ka përgjegjësi që të ftojë për konsultime edhe subjektet tjera të mëdha si PDK-në dhe AAK-në.

“Në fund, ata munden me i bë zgjedhjet më të duhura dhe të mirëinformume,” shtoi ai.

Nga ana tjetër, Muharremi ka inkurajuar edhe LDK-në dhe partitë e tjera që të marrin pjesë në konsultime dhe të shprehin qartë kërkesat e tyre.

“Nuk ka një qeveri stabile dhe kompetente pa së paku dy prej tri partive të mëdha që kanë dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Bashkëpunimi mes partive politike është në interes të vendit dhe është pozitiv për të gjithë,” ka përfunduar ai. /Kosova.info/


Go to TOP