KOMF kërkon rikthimin e Ministrisë për Mirëqenie Sociale: Shteti po dështon në mbrojtjen e fëmijëve dhe familjeve në nevojë
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF i është drejtuar me një letër publike subjekteve politike që pritet të formojnë Qeverinë e re, me kërkesën e qartë për rikthimin e Ministrisë për Mirëqenie Sociale. Sipas KOMF, kjo ministri është thelbësore për garantimin e politikave dhe shërbimeve të qëndrueshme sociale në vend.
Në letrën e tyre, KOMF thekson se mirëqenia sociale duhet të jetë një ndër shtyllat kryesore të qeverisjes së ardhshme, për shkak të gjendjes alarmante në këtë sektor dhe rritjes së kërkesave nga qytetarët për shërbime sociale. Ata kërkojnë që një ministri e veçantë të përfshijë politikat dhe skemat sociale, mbrojtjen e fëmijëve, shërbimet sociale, si dhe fuqizimin e familjes.
Të dhënat e fundit nga Karta e Vlerësimit e publikuar nga KOMF në vitin 2024 tregojnë se institucionet në Kosovë nuk kanë prioritizuar sa duhet mbrojtjen e fëmijëve. 72% e fëmijëve vazhdojnë të përjetojnë forma të dhunshme të disiplinimit, 5% punojnë punë të rënda, ndërsa vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara përfitojnë nga shërbime cilësore.
Për më tepër, fëmijët pa përkujdesje prindërore janë lënë jashtë mbështetjes financiare të ndarë nga shteti. Sfida serioze paraqet edhe numri në rritje i fëmijëve përdorues të substancave narkotike – me moshën mesatare të përdorimit që ka rënë nga 18 në 16 vjeç. Numri i fëmijëve në konflikt me ligjin po ashtu është në rritje, me 2.175 raste të raportuara nga Policia në vitin 2023 – një rritje prej 18% krahasuar me vitin 2022.
KOMF përmend se shteti ka për detyrë ligjore dhe morale të garantojë qasje të barabartë në shërbimet sociale për të gjithë qytetarët duke u mbështetur në legjislacionin vendor dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
KOMF i bën thirrje qeverisë së ardhshme që të ndërmarrë veprime konkrete dhe të rikthejë një ministri të dedikuar për mirëqenie sociale, me qëllim përmirësimin e jetës së mijëra fëmijëve dhe familjeve në nevojë në Kosovë. /Kosova.info/
