Për vrasjen e policit Muhamed Lika, ende nuk ka të arrestuar

Ende nuk ka asnjë të arrestuar lidhur me vrasjen e rreshterit të Policisë, Muhamed Lika, ngjarje kjo e ndodhur më 1 prill, rreth orës 23, në hyrje të banesës së tij, pas përfundimit të orarit të punës.

Në Polici deklaruan se hetimet janë duke u zhvilluar me intensitet më të shtuar për zbardhjen e rastit.

Gjatë ditës së sotme RTK nuk ka arritur të merr ndonjë informacion të ri në Prokurori. Mirëpo ditë më parë në konferencë për shtyp të mbajtur nga Prokuroria e Ferizajt u bë e ditur se lidhur me vrasjen në Kaçanik të rreshterit Muhamed Lika, të përfshirë janë së paku dy persona.

“Shihen dy persona duke ikur nga vendi i ngjarjes, duken persona të rinj, por që nuk kemi arritur identifikimin apo njohjen e atyre personave që të kishim mundësi të dimë a i takojnë rrethit ku ka ndodhur rasti apo nga cili vend janë ata persona,” tha Burim Çerkini, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Ferizajt.

Prokuroria në Ferizaj ka apeluar që çdo kush që ka ndonjë informacion të dërgojë deri në zbardhjen e rastit të raportojë në organet e hetuesisë.


Go to TOP