Protestë në Ulqin kundër privatizimit të hapësirave bregdetare

Në ditën e Ulqinit që rëndom festohet, nesër do të protestohet. Nga ora 12: 00 në këtë qytet bregdetar në vendin e njohur si Ranë, te Plazhi i Vogël në Ulqin do të mbahet protestë qytetare si reagim ndaj tentativës për dhënien me qira dhe privatizimin e hapësirave publike bregdetare.

Pjesëmarrjen në këtë protestë e kanë paralajmëruar përfaqësues të të gjitha partive politike në Kuvendin e Komunës së Ulqinit, pjesëtarë  të shoqërisë civile e qytetarë.

Motoja e protestës është: Ulqini nuk është në shitje.

Në kumtesën e lëshuar nga Kuvendi Komunal i kësaj komune thuhet se ara i kanë thënë qartë e unanimisht kërkesat se çfarë investimesh duan.

Komuna e Ulqinit ka përcjellë edhe mesazhet për qeverinë duke thënë se janë pro investimeve dhe zhvillimit, por jo me kushte që dëmtojnë interesat e qytetit.

Kanë kërkuar transparencë dhe pjesëmarrje në  vendimet për të ardhmen e qytetit.

“Ulqini nuk është në shitje! Identiteti, historia dhe pasuritë tona natyrore nuk mund të shiten për interesa të ngushta. Kjo protestë nuk ka flamuj politikë – është një protestë e qytetarëve për të ardhmen e Ulqinit! Turizmi është interes publik, kurse ndërtimi i banesave nuk është! Ne duam ta zhvillojmë turizmin, por jo në dëm të natyrës, jo në dëm të ekonomisë së familjes ulqinake, jo në dëm të pasardhësve tanë”, kanë thënë organizatorët e protestës. /Kosova.info/


Go to TOP