I largohen dy asamblistë, LVV-ja thotë se u përjashtuan
Dy asamblistët në Kuvendin komunal të Prishtinës, Berat Lahu dhe Edmond Azemi nuk janë më pjesë e grupit të asamblistëve të LVV-së, duke u pozicionuar si të pavarur.
Lahu e Azemi janë ulur në fund të sallës ku po mbahet seanca e rregullt, larg nga asamblistët e tjetër të Vetëvendosjes dhe te emri u shkruan “i pavarur”.
E Lëvizja vetëvendosje në Prishtinë ka bërë të ditur se dy anëtarë të grupit parlamentar të Kuvendit Komunal në Prishtinë janë përjashtuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Berat Lahu dhe Edmond Azemi nuk janë më pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje!, me vendim të komisionit disiplinor të Lëvizjes. Vendimi i parë është marrë me datën 10.03.2025”, thuhet në njoftim.
Vetëvendosje thekson se ‘votimi dhe prezenca në seanca në të cilat dëmtohet interesi publik dhe tjetërsimi i vullnetit të qytetarëve për interesa të ngushta, janë arsyet e këtij përjashtimi’.
“Rruga jonë është gjatë dhe vështirë, ata që për interesa personale tjetërsojnë këtë rrugëtim nuk kanë vend në Lëvizje”, thuhet në njoftim. /Kosova.info/
