Miti i prejardhjes shqiptare të Putinit – një operacion psikologjik rus me objektiv Kosovën
Tabloidi gjerman Bild publikoi së fundmi një “lajm” të pazakontë, sipas të cilit presidenti rus Vladimir Putin ka prejardhje shqiptare nga Kosova. Megjithëse kjo mund të duket si një kuriozitet grotesk në një rajon të ngarkuar me mite, në të vërtetë është një taktikë e njohur e luftës hibride ruse-një përzierje e dezinformimit, manipulimit narrativ dhe konfuzionit identitar.
Pse tani? Pse shqiptarët? Pse Kosova?
Sipas Gurakuç Kuçit, Hulumtues i Lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”, kjo nuk është një rastësi. Kosova dhe Shqipëria janë dy nga shtetet më fuqimisht pro NATO-s dhe pro BE-së në Ballkanin Perëndimor. Shqiptarët përbëjnë një faktor me qëndrueshmëri të rrallë në orientimin e tyre perëndimor, duke krijuar një stabilitet strategjik të rëndësishëm për NATO-n. Pikërisht për këtë arsye, ata janë objektiv i narrativave destabilizuese të Kremlinit.
Sipas Kuçit, synimi i këtij “lajmi” nuk është informimi, por krijimi i ngatërresës dhe gërryerja e perceptimeve publike. Përmes manipulimit të tillë, Rusia përpiqet të minojë orientimin euro-atlantik të shqiptarëve, duke i bërë ata të dyshojnë mbi aleancat e tyre strategjike dhe identitetin e tyre politik. Ky është një model i përdorur më parë në shtetet baltike, Gjeorgji, Ukrainë dhe tani në Ballkan.
Dezinformimi si Armë Psikologjike
Në epokën e luftës së informacionit, shpërndarja e lajmeve të rreme nuk është thjesht një lojë mediatike, por një taktikë e mirëfilltë e luftës hibride. Rusia zgjat ndikimin e saj jo me tanke, por me narrativa të helmuara, ku e pabesueshmja bëhet e mundshme dhe e rrezikshmja maskohet si qesharake.
Ky nuk është rasti i vetëm i manipulimit të informacionit. Vetëm pak ditë më parë, Bild publikoi një tjetër lajm të rremë, sipas të cilit SHBA po planifikonte të tërhiqte trupat e saj nga Evropa dhe Kosova. Ky pretendim u demaskua fillimisht nga OCTOPUS dhe më pas u përgënjeshtrua zyrtarisht nga NATO dhe SHBA-të.
Narrativa që Synon Destabilizimin
Lajmet e tilla nuk janë të rastësishme. Ato synojnë të krijojnë një terren ku faktet dhe trillimet përzihen, duke e bërë publikun më të cenueshëm ndaj manipulimeve të mëtejshme. Për Kosovën dhe Shqipërinë, si dy shtete të përkushtuara ndaj integrimeve euro-atlantike, kjo është një sfidë serioze që kërkon vigjilencë të lartë mediatike dhe strategjike.
Siç përfundon Gurakuç Kuçi, “Le ta lexojmë këtë ‘lajm’ për atë që është në të vërtetë: një akt i mirëfilltë i luftës hibride, jo një scoop mediatik.” /Kosova.info/
