Bajrami: Faktet para propagandës – qeveria e LVV-së, më e dështuara pas luftës

Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar ashpër qeverinë e udhëhequr nga LVV duke e cilësuar atë si më të dështuarën në historinë e Kosovës pas luftës. Ajo ka renditur një sërë dështimesh të kësaj qeverie, përfshirë izolimin ndërkombëtar të vendit, rritjen e çmimeve, mungesën e investimeve dhe keqmenaxhimin në sektorë kyç si arsimi dhe shëndetësia.

Sipas Bajramit, Kosova ndodhet nën sanksione ndërkombëtare, nuk ka arritur asnjë njohje të re dhe ka mbetur jashtë organizatave ndërkombëtare. Ajo e ka kritikuar marrëveshjen e Brukselit, aneksin e Ohrit dhe pranimin e draftit për Asociacionin, duke i cilësuar si hapa që çojnë drejt defunksionalizimit të shtetit.

Në aspektin ekonomik, Bajrami theksoi rritjen e paprecedentë të çmimeve dhe kostos së jetesës, dyfishimin e çmimit të energjisë elektrike dhe mungesën e politikave zhvillimore. Ajo po ashtu përmendi deficitin tregtar prej 5.3 miliardë eurove dhe rënien e investimeve të huaja.

Në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë, Bajrami kritikoi mungesën e reformave, kaosin me furnizimin me libra dhe gjendjen e rënduar të spitaleve. Ajo përmendi edhe skandalet e korrupsionit, duke akuzuar qeverinë për mbi 2,100 kontrata njëburimore dhe kapjen e drejtësisë.

Në fund, Bajrami theksoi gjendjen në veri të Kosovës, ku sipas saj, nuk paguhen energjia dhe tatimi në pronë, ndërsa institucionet mbeten jofunksionale. Ajo akuzoi qeverinë për lehtësimin e ikjes së Milan Radoiçiqit.

Me këtë bilanc, Bajrami e ka cilësuar qeverinë e LVV-së si të paaftë dhe të dështuar në çdo aspekt. /Kosova.info/


Go to TOP