Rama: Shoqata e vullnetarëve për zjarrfikje dhe shpëtim, një hap historik për sigurinë e kryeqytetit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar krijimin e Shoqatës së Vullnetarëve për Zjarrfikje dhe Shpëtim, një iniciativë që, sipas tij, e vendos kryeqytetin në një nivel të ri të gatishmërisë për situatat emergjente.
Shoqata do të veprojë në bashkëpunim me Drejtorinë për Siguri dhe Emergjenca, të udhëhequr nga drejtori Lulzim Fushtica, dhe do të jetë një mbështetje shtesë për Brigadën Profesionale të Zjarrfikësve.
“Me këtë shoqatë, po e bëjmë kryeqytetin më të sigurt dhe më të përgatitur për çdo sfidë që mund të vijë,” deklaroi Rama, duke falënderuar të gjithë ata që po bëhen pjesë e kësaj nisme.
Ai gjithashtu bëri të ditur se objekti i parë i kësaj shoqate po rinovohet në Lagjen Kolovicë, ku një ish-shkollë do të shndërrohet në bazën e parë të vullnetarëve të zjarrfikjes.
Rama e përmbylli njoftimin me një mesazh falënderimi për të gjithë ata që po kontribuojnë në këtë projekt, duke theksuar se Prishtina është krenare për vullnetarët që angazhohen në shërbim të komunitetit. /Kosova.info/
