26 vjet nga vrasja e Bajram Kelmendit dhe djemve të tij – Abdixhiku: Kujtesë e përjetshme për sakrificën e tyre
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar avokatin dhe veprimtarin e shquar, Bajram Kelmendi, si dhe djemtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin, në 26-vjetorin e vrasjes së tyre nga forcat serbe më 24 mars 1999.
“Sot kujtojmë një figurë të shquar të drejtësisë dhe lirisë, Bajram Kelmendin, i cili me përkushtim të palëkundur dokumentonte krimet serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë. Vrasja e tij dhe e dy bijve, Kastriotit dhe Kushtrimit, synonte të heshtte të vërtetën, por ajo mbetet e paharruar,” tha Abdixhiku.
Bajram Kelmendi ishte një nga avokatët më të njohur të kohës, i angazhuar në mbledhjen e fakteve për krimet e regjimit të Millosheviçit. Nata e 24 marsit 1999, që shënoi nisjen e bombardimeve të NATO-s, u bë edhe nata e rrëmbimit dhe ekzekutimit mizor të tij dhe dy djemve të tij, Kastriotit 30-vjeçar dhe Kushtrimit 16-vjeçar.
“Familja Kelmendi do të kujtohet gjithmonë me nderim të veçantë për sakrificën e madhe në altarin e lirisë. LDK dhe Republika e Kosovës do t’i mbajnë në kujtesë të përhershme,” përfundoi Abdixhiku.
Kujtimi për Bajram, Kastriot dhe Kushtrim Kelmendin mbetet i përjetshëm. /Kosova.info/
