Liderët fetarë në Kosovë nënshkruajnë rezolutën për dialog dhe harmoni ndërfetare
Në përfundim të Tryezës së Dialogut Ndërfetar, të mbajtur më 21 mars 2025 në Katedralen e Prishtinës, liderët e komuniteteve fetare në Kosovë kanë nënshkruar një rezolutë që riafirmon angazhimin për paqen, lirinë dhe harmoninë ndërfetare.
Kryemyftiu Naim Tërnava (BIK), Imzot Dodë Gjergji (Ipeshkvia Prizren-Prishtinë), Pastor Artur Krasniqi (Kisha Protestante Ungjillore) dhe Dr. Hysen Hyseni (Bashkësia Hebraike) konfirmuan përkushtimin e tyre për të ruajtur unitetin në diversitet, refuzuar ekstremizmin dhe forcuar dialogun ndërmjet komuniteteve.
Pjesë e rezolutës është edhe zotimi për takime të rregullta ndërfetare, me qëllim promovimin e bashkëjetesës dhe forcimin e vlerave të përbashkëta. Kjo nismë u mbështet nga Fondacioni “Drita” dhe vjen në një kohë kur Kosova synon të thellojë traditën e saj të harmonisë fetare si model për rajonin. /Kosova.info/
