‘Origin AL Program’ afron rininë e diasporës me Kosovën e Shqipërinë
“Origin AL Program” është programi që po sjellë të rinjtë e diasporës për disa javë qëndrimi në Kosovë e Shqipëri, në tentativë të eksplorimit të kulturës dhe identitetit kombëtar.
“Programi origjinal ka për qëllim që t’i sjellë rininë e diasporës shqiptare më një udhëtim dy javorë në Kosovë dhe Shqipëri. Ky është viti i katër që ne po e organizojmë këtë” , ka thënë Era Ahmeti, koordinatore në organizatën “Germin”.
Në një intervistë dhënë për emisionin e mëngjesit në RTK, Ahmeti ka ndarë detaje nga planet e sivjetme të grupeve që do të sjellin.
“Kemi filluar në vitin 2022, atëherë ka qenë hera e parë e kemi pasur një grup të rinjsh. Në vitin 2023 i kemi pasur dy grupe po ashtu edhe në 2024 kemi pasur dy grupe derisa këtë vit do ti kemi tri grupe brenda vitit”, tha Ahmeti.
Ajo tregoi më tej se ende janë në fazën e thirrjeve, teksa shtoi se aplikimi do të jetë i hapur deri më 31 mars.
“Këtë vit të drejtë aplikim kanë të rinjtë nga diaspora. Kriteret e aplikimit janë që patjetër duhet të jesh shqiptarë“, tha ajo.
