Koci: Hashim Thaçi u privua padrejtësisht nga lamtumira e fundit me babanë e tij

Avokati Arianit Koci ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë për t’ia mohuar disa herë Hashim Thaçit të drejtën për ta vizituar babanë e tij, Haxhi Thaçin, në momentet e fundit të jetës.

Koci theksoi se ky ishte një veprim i padrejtë dhe një mungesë e plotë humanizmi nga gjykata, e cila nuk u bind se një njeri po vdiste. “E lanë të priste. E lanë të shpresonte. Dhe kur më në fund ia dhanë lejen, ishte vonë,” tha avokati.

Ai shtoi se trajtimi i Thaçit në paraburgim është i rëndë, pasi ai nuk është vetëm i ndaluar, por i izoluar mijëra kilometra larg Kosovës, në një proces që duket i pafund.

Sipas Kocit, drejtësia nuk është vetëm procedurë dhe rregull, por edhe ndjeshmëri dhe kuptim i kontekstit. “Është e pafalshme që një njeri që ka sakrifikuar për vendin e tij të trajtohet sikur të mos kishte histori, familje apo dhimbje,” u shpreh ai.

Avokati bëri thirrje që tani të mos ketë më justifikime dhe Hashim Thaçi të lejohet të marrë pjesë në varrimin e babait të tij. “Kështu e do humanizmi. Kështu e kërkon drejtësia,” përfundoi Koci.

Prehu në paqe, Haxhi Thaçi.

E vërteta mund të vonojë – por nuk humb kurrë. /Kosova.info/


Go to TOP