Presidentja Osmani ngushëllon ish-Presidentin Thaçi për humbjen e babait

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime për ish-Presidentin Hashim Thaçi dhe familjen e tij pas ndarjes nga jeta të babait të tij, Haxhi Thaçi.

“Me pikëllim mësuam lajmin për ndarjen nga jeta të z. Haxhi Thaçi, babait të ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi. Humbja e babait është dhimbje e pamatshme, e cila lë boshllëk të pazëvendësueshëm tek më të dashurit. Kontributi dhe dashuria e tij për atdheun, shpresoj të shndërrohen në udhërrëfyes dhe kujtime krenarie për të gjithë ata që e njohën,” ka deklaruar Osmani.

Ajo ka shprehur ngushëllime të sinqerta në emër të saj dhe të popullit të Kosovës për ish-Presidentin Thaçi, familjen Thaçi, miqtë dhe të gjithë të afërmit e të ndjerit.

“Qoftë i përjetshëm kujtimi për të! I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!” përfundoi Presidentja Osmani. /Kosova.info/


Go to TOP