Prishtina themelon shoqatën e parë të zjarrfikësve vullnetarë

Kryeqyteti ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sigurisë dhe reagimit emergjent me themelimin e Shoqatës së Zjarrfikësve Vullnetarë të Prishtinës. Kjo është hera e parë që një nismë e tillë ndërmerret në Kosovë, duke krijuar një strukturë ndihmëse për brigadën profesioniste të zjarrfikësve.

Shoqata do të ketë bazën e saj në Lagjen Kolovica e Re, ku tashmë ka nisur rindërtimi i hapësirave të dedikuara. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, njoftoi se buxheti për uniformat është siguruar dhe se po bëhen përgatitjet e fundit për funksionalizimin e saj.

“Ftojmë të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e kësaj nisme, pavarësisht profesionit të tyre. Pjesëmarrja do të jetë vullnetare, por sipas ligjit në fuqi, në rast angazhimi, zjarrfikësit vullnetarë do të kompensohen për dy deri në tre orë shërbimi,” theksoi Rama.

Kjo nismë synon të rrisë gatishmërinë për emergjenca, duke ofruar ndihmë shtesë për zjarrfikësit profesionistë dhe duke kontribuar në sigurinë publike të Prishtinës. /Kosova.info/


Go to TOP